Bytyqi kërkon thellimin e bashkëpunimit me UNICEF-in
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka pritur në takim Afshan Khan, drejtore rajonale e UNICEF-it për Evropë, me të cilën ka biseduar për mundësitë e përforcimit të partneritetit reciprok për edukimin në fëmijëri të hershme, përmirësimin e cilësisë në arsim dhe çështje tjera me interes.
Me këtë rast, ministri Bytyqi ka falënderuar përfaqësuesit e UNICEF-it për bashkëpunim dhe mbështetjen e vazhdueshme në edukimin dhe realizimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Në këtë kontekst, ai ka theksuar nevojën e thellimit të këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.
“Duke e ditur rëndësinë e edukimit në fëmijëri të hershme, ne jemi të angazhuar që të rrisim numrin e përfshirjes së fëmijëve nga mosha 3-5 vjeçare, porse aktualisht nuk kemi kapacitetet të mjaftueshme që të arrijmë standardet evropiane në këtë drejtim”, ka thënë Bytyqi.
Sa i përket përmirësimit të cilësisë në arsim, ministri Bytyqi ka thënë se tashmë ka filluar të implementohet kurrikula e re. Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se kanë nevojë për trajnimin e mësimdhënësve dhe aplikimit të metodologjive bashkëkohore në mësimdhënie.