Bytyqi: Me këtë buxhet të vogël, arsimi nuk është prioritet
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka mbajtur të mërkurën takimin e radhës, të drejtuar nga kryetari Ismajl Kurteshi.
Në këtë takim është shqyrtuar Projektligji për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, ku të ftuar ishin dy ministrat e linjës.
Në pjesën e parë të mbledhjes, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë prezantimit të tij ka thënë se këtë vit ministria që ai drejton ka rritje të buxhetit prej 17 përqindësh krahasuar me vitin e kaluar.
Ai ka deklaruar se planet për këtë ministri kërkojnë më shumë buxhet për realizimin e projekteve, andaj edhe ka kërkuar rritje shtesë lidhur me mbulimin e pagave për krijues dhe performues. Prioritet, sipas ministrit Gashit, i është dhënë themelimit të një grupi punues për hartimin e strategjisë për rini si dhe krijimit të një fondi rinor.
Po ashtu, Gashi ka theksuar rëndësinë e krijimit të Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, i cili do t’i mbikëqyrte të gjitha monumentet dhe asetet kulturore.
Anëtarët e komisionit shtruan pyetje lidhur me çështjen e teatrit, investimeve kapitale për renovimin e stadiumeve etj., në të cilat ministri dha sqarimet e tij.
Në pjesën e dytë të mbledhjes, ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, para anëtarëve të komisionit ka prezantuar në mënyrë të përgjithshme linjat buxhetore për vitin 2018.
Ai ka thënë se ministria që drejton ka një buxhet në rritje përafërsisht prej 20 përqindësh krahasuar me vitin e kaluar. Sipas Bytyqit, me këtë buxhet të ndarë nga qeveria, arsimi nuk është prioritet as këtë vit.
Ministri Bytyqi iu referua në vija të trasha linjave të ndara buxhetore. Ai ka bërë me dije se buxheti i miratuar në parim për vitin 2018 për sektorët që ai udhëheq është mbi 54 milionë euro.