Bytyqi: Korniza kombëtare e vlerësimit të nxënësve, dokument i rëndësishëm
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në takimin e Kolegjiumit të Drejtorëve të DKA-ve, ku është bërë prezantimi i Kornizës Kombëtare të Vlerësimit të Nxënësve.
Në këtë takim, ai ka theksuar rëndësinë e madhe që ka ky dokument, pasi siç ka thënë ministri që vlerësimi është i rëndësishëm për çdo sektor, e sidomos kur bëhet fjalë për vlerësimin e nxënësve.
“MAShT-i ka obligim që të krijojë një infrastrukturë ligjore, e cila ua lehtëson punën edhe mësimdhënësve, por edhe institucioneve, që të kenë mundësi ta aplikojnë shumë më lehtë vlerësimin e nxënësve. Ka pasur disa lloje të vlerësimeve dhe kjo ka qenë edhe arsyeja e hartimit të Kornizës Kombëtare të Vlerësimit të Nxënësve, e cila bazamentin e ka në Kurrikulë, në Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe në Udhëzimin Administrativ që rregullon këtë çështje”, ka thënë Bytyqi.
Në këtë takim, ministri Bytyqi ka theksuar se vlerësimi duhet t’i ketë dy role kryesore; ta vlerësojë sistemin arsimor parauniversitar, në mënyrë që të merren masa për zhvillim, si dhe vlerësimi të jetë i përgjithshëm dhe i barabartë për të gjithë nxënësit.
“Për të qenë i barabartë vlerësimi, padyshim që mësimdhënësit tanë duhet të kenë një kredibilitet dhe një etikë të lartë të punës”, është shprehur ministri Bytyqi.
/Epoka e re/