Bytyqi: Kosova për shumë vjet e ka portën e sigurt
Trajneri i portierëve në Përfaqësuesen U15, Valmir Bytyqi, ka thënë se Kosova e ka portën e sigurt edhe për shumë vjet të tjera.
Ish-portieri i Përfaqësueses së Kosovës në Futboll dhe i skuadrës së Besës nga Peja, Valmir Bytyqi, të mërkurën për “Epokën e re” ka thënë se Përfaqësuesja e Kosovës edhe për shumë vjet e ka portën e sigurt. “Portierët që ka Kosova aktualisht janë cilësorë, që nga Përfaqësuesja A e deri të grupmoshave. Mund të them se portën e kemi të sigurt edhe për shumë vjet të tjera”, i cili më pas e ka lavdëruar portierin e Manchester Cityt, Arijanet Muriqi. “Është fat për ne që e kemi një portier si Muriqi dhe nëse ai nuk do të ketë ndonjë problem me lëndime apo ndonjë problem tjetër, atëherë do t’i sjell shumë siguri portës së Kosovës”, ka shtuar ai.
Ish-portieri i njohur tash e disa muaj është angazhuar trajner i portierëve në grupmoshën U15 në Përfaqësuesen e Kosovës, ku ka vërejtur disa probleme që lidhen me talentët e rinj. “Në përfaqësuese jam që pesë muaj dhe për këtë kohë kemi arritur për se afërmi ta shikojmë dhe identifikojmë punën dhe cilësinë e portierëve si në vend, po ashtu edhe jashtë. Në muajin nëntor kishim një kamp në Gjermani e një në Zvicër ku u testuan shumë lojtarë dhe portierë. Mund të them se në Kosovë është një e metë e madh se në shumicën e shkollave dhe klubeve të futbollit mungojnë trajnerët e portierëve, rrjedhimisht pata talente që stagnojnë në ngitje të cilësisë dhe mbesin mbrapa me bashkëmoshataret e tyre jashtë Kosovës”, ka thënë Bytyqi, duke shtuar: “Talenti nuk mungon dhe jam i bindur që Kosova në të gjitha grupmoshat ka portierë me perspektivë dhe me cilësi shumë të mira. Nuk dot kemi probleme as tash e as ne të ardhmen për përfaqësueset”.
I pyetur se a ka ndonjë portier që në një të ardhme të afërt mund të jetë numër një në portën e Kosovës, por edhe në një klub të madh evropian, Bytyqi është përgjigjur: “Po, Kosova e ka një talent shumë premtues që është pjesë e skuadrës se West Ham Unitedit në grupmoshën U15. Është Laurenc Shala, i cili, nëse vazhdon me këtë përkushtim, jam i bindur që brenda katër apo pesë vjetësh do të jetë i gatshëm për Përfaqësuesen A dhe për një skuadër të madhe evropiane”.
Në fund trajner Valmir Bytyqi ka lavdëruar edhe portierët aktualë në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, duke thënë se ata janë duke bërë një punë të mirë nëpër skuadrat ku aktivizohen. “Për sa i përket Kosovës, mendoj se prin për nga cilësia Visar Bekaj i Prishtinës, por ka edhe disa portierë mjaft të mirë në Superligë që nuk kisha dashur t’i veçoj me emra, të cilët kanë krijuar një përvojë të mirë dhe po tregohen shumë të zotë në ekipet e tyre”, ka përfunduar Bytyqi.
/Veton ZYMBERI/