Bytyqi në Bruksel, përkrah iniciativën për njohjen automatike të kualifikimeve akademike
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka folur në Bruksel për zhvillimet më të fundit të politikave në arsim dhe trajnim në Kosovë.
Nëpërmjet një njoftimi në profilin e vet në “Facebook”, ai po ashtu ka bërë të ditur se ka folur edhe për sfidat për njohjen e kualifikimeve akademike që janë prioritet kyç për Kosovën.
Postimi i plotë i tij:
Në ditën e dytë të takimit të 7-të ministror, në kuadër të Platformës së Ballkanit Perëndimor për Arsim, Trajnim, Hulumtim dhe Inovacion, që po mbahet në Bruksel, diskutuam për zhvillimet më të fundit të politikave në arsim dhe trajnim në vendet tona të Ballkanit Perëndimor, si dhe për sfidat për njohjen e kualifikimeve akademike që janë prioritet kyç për Kosovën.
Diskutuam për përfitimet kryesore të bashkëpunimit rajonal në njohjen e kualifikimeve akademike, ku në fund të këtij takimi, miratuam një sërë konkluzionesh dhe parimesh kryesore për njohjen e kualifikimeve akademike. Iniciativa për njohjen automatike të kualifikimeve është e një rëndësie të veçantë, dhe si të tillë edhe Kosova e përkrahë këtë.
Sigurisht, ne edhe sot i njohim diplomat, por me procedura të shumta i detyrojmë të rinjtë tanë të shpenzojnë energji dhe kosto të panevojshme, dhe kur jemi në dijeni për këtë realitet, ne duhet që të angazhohemi maksimalisht për të krijuar lehtësira rreth kësaj çështje.
Edhe Agjencionet e Akreditimit të vendeve tona duhet të luajnë rolin e sigurisë në cilësi që ta kemi sa më të lehtë në këtë rrugëtim të njohjeve automatike të diplomave.
Bashkë me ministrat tjerë të Ballkanit Perëndimor sot u pajtuam edhe për sistemin online të futjes së të dhënave te të gjithë atyre që mbarojnë studimet Master dhe PhD, ku do të krijohen shumë lehtësira rreth njohjes së diplomave për faktin se më nuk do të kemi nevojë tu drejtohemi vendeve përkatëse, por të dhënat për të diplomuarit do të gjenden në këtë platformë online. Kjo do të hapte perspektivë rreth mobilitetit të studentëve dhe profesorëve, si dhe do të hapte mundësi më të shumta për tu qasur në tregjet e punës.