Bytyqi: Në Evropë jo vetëm fizikisht por edhe emocionalisht
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, kanë mbajtur ligjëratë në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë.
Ata përmes kësaj ligjërate u kanë bërë thirrje nxënësve që të studiojnë në ato fusha që Kosova ka mungesë të kuadrove.
Fillimisht Apostolova ka folur për kampanjën vetëdijesuese me qëllim të ngritjes së cilësisë së arsimit, me ç’rast ka përmendur edhe hapat konkret që duhet të bëhen në mënyrë që të ketë rezultate.
Ndërsa, duke folur për Ditën e Evropës, Apostolova ka përmendur faktin se nuk është e lehtë të merren vendime nga 28 shtete anëtare të BE-së.
Ministri i MAShT-it, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se janë të përkushtuar në ofrimin e kushteve sa më të mira në Kosovë.
“Si Ministri e Arsimit e kemi obligim që të ofrojmë kushte sa më të mira për të rinjtë nëpër shkolla. E më e rëndësishmja është dhënia dhe marrja e dijes në mënyrën më produktive. Këtë obligim së pari mësimdhënësit e pastaj edhe nxënësit”, ka thënë Bytyqi.
Sipas tij, Kosova nuk është vetëm fizikisht vend i Evropës, por është e drejtuar kah Evropa edhe emocionalisht.
/Epoka e re/