Bytyqi njoftohet me problemet e shkollës “Gjon Serreçi” në Ferizaj
Ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i shoqëruar edhe nga drejtori i Komunal i Arsimit (DKA) në Ferizaj, Afim Llabjani, kanë vizituar shkollën “Gjon Serreçi” me ç’rast nga afër janë njoftuar në lidhje me problemet me të cilat është duke u ballafaquar kjo shkollë.
Me këtë rast, Bytyqi ka thënë se janë duke shqyrtuar mundësinë që kjo shkollë të punojnë në dy ndërrime, duke siguruar një objekt të ri ose nxënësit të barten në ndonjë shkollë tjetër. “Sot së bashku me drejtorin e DKA-së erdhëm ta vizitojmë shkollën fillore ‘Gjon Serreçi’ në Ferizaj. Përveç asaj që është një vizitë në shkollë ne kemi ardhur edhe për disa shqetësime të cilat kanë ardhur nga prindërit dhe shoqëria civile për të parë nga afër se cila është gjendja në këtë shkollë. Kjo shkollë ka një traditë që është gjë e mirë. Ne diskutuam gjatë edhe me drejtorin e DKA-së dhe me drejtorin e shkollës pasi që kjo shkollë ka një numër të madh të nxënësve dhe është me tri ndërrime dhe diskutuam për një mundësi që këtë shkollë ta kthejmë në dy ndërrime”, ka thënë Bytyqi.
Ndërsa drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, ka thënë se edhe pse shkolla ka një infrastrukturë të vjetërsuar sukseset e nxënësve të kësaj shkolle asnjëherë nuk ka munguar. “Kjo shkollë ka shumë nxënës dhe një infrastrukturë të vjetërsuar, por që nuk mungojnë rezultatet e sukseseve asnjëherë. Ne kemi informuar ministrinë që jemi në ndërtime sipër të një shkolle e cila planifikon dhe mundëson kalimin e shkollës ‘Gjon Serreçi’ në shkollën ‘Shaban Hashani’, ndërsa ata të kalojnë në shkollën e re. Ne do ta krijojmë ata hapësirë e cila do të jetë e mjaftueshme për shkollën ‘Gjon Serreçi’ dhe do të krijohen kushte më të mira për një proces normal”, ka thënë Llabjani.
Në anën tjetër, drejtori i shkollës fillore “Gjon Serreçi”, Nazmi Heta, ka thënë se me ndihmë e Ministrisë së Arsimit do t’i sigurojnë nxënësve një hapësirë më të madhe.
/Epoka e re/