Bytyqi njofton se MAShT po harton një strategji për arsimin e lartë në Kosovë

06 shtator 2018 | 19:36

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka bërë të ditur se dikasteri që udhëheq është në fazën e formimit të një grupi të ekspertëve, në bashkëpunim me mbështetësit ndërkombëtarë, për të hartuar një strategji për funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë publik dhe privat në Kosovë.

Në kuadër të kësaj strategjie do të rregullohet edhe çështja e financimit të Universiteteve, ka njofuar Bytyqi, nëpërmjet një shkrimi në profilin e tij në “Facebook”.

Shkrimi i Bytyqit:

Sot prita në takim partnerët e projektit EUFORIA, në kuadër të programit ERASMUS+, të kryesuar nga koordinatori i projektit Prof. Iraj Hashi nga Universiteti Staffordshire.

Jam njoftuar nga partnerët e këtij projekti për rëndësinë e projektit në funksion të ngritjes së kapaciteteve në arsimin e lartë. Po ashtu, në këtë takim, partnerët e projektit kanë folur edhe rreth çështjes së sistemit të financimit të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.

E vlerësoj lartë rëndësinë e projektit EUFORIA, për faktin se qëllimi i këtij projekti është të zhvillojë lidhjet midis universiteteve dhe ndërmarrjeve në Kosovë në mënyrë që të përmirësojë mësimdhënien dhe mësimin, punësimin e të diplomuarve dhe të kontribuojë në financimin e arsimit të lartë në universitetet e Kosovës.

MAShT është në fazën e formimit të një grupi të ekspertëve në bashkëpunim me mbështetësit tanë ndërkombëtarë për të hartuar një strategji për funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë publik dhe privat në Kosovë, e sigurisht që në kuadër të kësaj strategjie do të rregullohet edhe çështja e financimit të Universiteteve.

Projekti EUFORIA është një konsorcium i gjashtë institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë (Universitetet e Prishtinës, Pejës, Gjakovës, Gjilanit dhe Ferizajt dhe Kolegjit Riinvest) dhe pesë universitete nga Unioni Evropian; Universiteti i Ankonës (Itali), Universiteti i Zagrebit (Kroaci), Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Munih (Gjermani), Universiteti Nottingham Trent dhe Universiteti Staffordshire (Mbretëria e Bashkuar).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Marrëveshja e Prespës i hap rrugën Maqedonisë për anëtarësim në…