Bytyqi: Më para e kryen një doktoraturë sesa e nostrifikon një diplomë në Ministri
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në “Puls” të “KTV”-së e ka pranuar se më lehtë e përfundon një doktoratë diku se sa të nostrifikohet një diplomë në Ministrinë të cilës ai i prinë.
“Mesatarja e pritjes për nostrifikimin e një diplomë është 3 vjet, pra është një periudhë jashtëzakonisht e gjatë dhe kemi gjetur shifra alarmante të pritjes për nostrifikim”, ka thënë Bytyqi.
“Nëse flasim individualisht, del se deri në 5 e 6, bile edhe deri në 10 vjet ka që kanë pritur për nostrifikim të një diplome. Kjo që kemi gjetur në këtë Ministri është e pajustifikueshme”, ka thënë ai.
Bytyqi ka thënë se ka pasur edhe raste kur kanë aplikuar në të njëjtën datë për nostrifikim dy persona, dikujt i kanë kthyer përgjigje shumë shpejt e dikujt asnjëherë nuk i kanë kthyer përgjigje.
“Pra me vite të tëra presin qytetarët. Këtu të bënë të kuptosh që dikujt qëllimisht nuk i kanë kthyer përgjigje për interesa të ngushta”, ka thënë Bytyqi. “Këto gjetje i kam nga një auditim i brendshëm i cili i është bërë këtij Departamenti. Unë them se në Departamentin e Nostrifikimit të Diplomave ka një neglizhencë shumë të madhe pa ndonjë arsyetim. Jam duke u marrë me riorganizimin e këtij Departamenti. Nëse gjenden se ka pas shkelje të qëllimshme do të marrim masa”, ka shtuar më tej ai.