Bytyqi për regresin e lirisë së medieve: Për këtë ‘sukses’ duhet të duartrokitet Kurti
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi, ka reaguar ndaj regresit së lirisë së mediave në Kosovë.
Bytyqi ka shkruar në “Facebook” se Indeksi i Reporterëve pa Kufij, ku Kosova rendit 19 vende më poshtë se vitin e kaluar, është shqetësues.
Sipas saj, për këtë “sukses” duhet të “duartrokitet” kryeministri Albin Kurti.
“Liria e medias është themeli i një shoqërie të hapur dhe të drejtë! Kur media është e lirë, opinionet ndryshojnë, ide të reja shfaqen, dhe demokracia forcohet. Kur mediat censurohen, zërat që duhet të dëgjohen mbeten të heshtur, dhe shoqëria humbet një pjesë të çmuar të pluralizmit të mendimeve. Andaj, është tejet shqetësuese që në vitin 2024, Kosova të renditet 19 vende më poshtë për lirinë e medias nga Reporterët pa Kufi. Sigurisht, ‘duartrokitjet’ shkojnë për Albin Kurtin, për këtë ‘sukses’ që po ia bën Kosovës”, ka shkruar Bytyqi.