Bytyqi: Po bëhen përpjekje të mëdha për ta lëvizur përpara sistemin e arsimit
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Kosovës, Shyqiri Bytyqi, ka vizituar sot shkollën fillore “Mihal Grameno”, në Fushë Kosovë.
Gjatë vizitës, ai ka thënë se ky është një vit i rëndësishëm shkollor, pasi që po bëhen përpjekje të mëdha për angazhimin e të gjithë akterëve për ta lëvizur përpara sistemin e arsimit.
Shkrimi i plotë i Bytyqit:
Në kuadër të vizitave në shkollat e Kosovës, sot bashkë me deputetin z. Veton Berisha dhe zëvendësministrat, z. Berisha dhe z. Krasniqi, kam vizituar shkollën fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, ku kemi bashkëbiseduar me udhëheqësit e shkollës dhe mësimdhënësit për të arriturat dhe vështirësitë që hasen gjatë zhvillimit të procesit mësimor.
Me këtë rast, theksova se ky është një vit i rëndësishëm shkollor, pasi që po bëhen përpjekje të mëdha për angazhimin e të gjithë akterëve për ta lëvizur përpara sistemin e arsimit.
Nëse ne i shohim problemet që ka sistemi arsimor, që i kanë shkollat tona, si një problem të përbashkët për ta zgjidhur, besoj se jemi pikërisht në vitin kur do ta marrim një rrugë të mbarë në arsim.
Fola edhe për situatën në këtë shkollë dhe në përgjithësi në komunën e Fushë Kosovës, ku nga ardhja e banorëve nga pjesë tjera të Kosovës, është rritur shumë numri i nxënësve dhe shpreha gatishmërinë për të gjetur zgjidhje në këtë situatë.
Jemi të gatshëm që të jemi në krah me ju, që të ulemi bashkë me ju, edhe me Ministrinë e Financave që të bëjmë zgjidhje, pasi që duhet të rritet numri i paraleleve, pra edhe i mësimdhënësve, në mënyrë që të mos kemi klasa të stërngarkuara, e për pasojë edhe mungesë të cilësisë në arsim.
Fushë Kosova është komuna që ka nevojën më të theksuar për ndërtimin e shkollave të reja dhe për këtë nevojitet një angazhim i përbashkët me Komunën, e cila është e obliguar të sigurojë hapësirën dhe për këtë përmenda dështimin e ndërtimit të një shkolle në Fushë Kosovë për këtë arsye.
Me gjithë vështirësitë, përgëzova mësimdhënësit për punën që po bëjnë dhe i porosita ata që profesionin ta marrin gjithmonë si të shenjtë dhe të ofrojnë dije e kompetenca të duhura për fëmijët tanë.
Gjithashtu, fola edhe për rolin e prindërve dhe theksova se ata duhet ta luajnë një rol shumë të rëndësishëm, pasi që nuk mund të lëvizim përpara pa bashkëpunim me prindërit.