Bytyqi priti në takim përfaqësues të Bankës Botërore
Ministri i Arsimit, Skencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur në takim një ekip nga Banka Botërore, të prirë nga Joel Reyes, Specialist i arsimit të lartë dhe zhvillimit institucional në Bankën Botërore, me të cilët ka biseduar për zbatimin e Projektit ESIP.
Përmes një postimi në profilin e vet në “Facebook”, Bytyqi ka njoftuar se në këtë takim u diskutua për procesin e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve që fillon në shtator, si dhe për projekte tjera të mundshme për të cilat Banka Botërore shprehu gatishmërinë për mbështetje.
Postimi i plotë i tij:
Sot kam pritur në takim një ekip nga Banka Botërore, të prirë nga z. Joel Reyes, Specialist i arsimit të lartë dhe zhvillimit institucional në Bankën Botërore, me të cilët biseduam për zbatimin e Projektit ESIP.
Në këtë takim biseduam për rishikimin e planeve dhe përparimet në zbatim të Projektit në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti. Banka Botërore dhe MAShT do të rishikojnë strategjinë e monitorimit të projekteve dhe përgatitjen e projekteve për vlerësimin afatmesëm që do të finalizohet deri në nëntor të këtij viti.
Në këtë takim biseduam gjerësisht për komponentet e Projektit, me theks të veçantë për procesin e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve që fillon në shtator, si dhe për projekte tjera të mundshme për të cilat Banka Botërore shprehu gatishmërinë për mbështetje.
Falënderova Bankën Botërore për investimet që ka bërë vazhdimisht në sistemin arsimor në Kosovë, që janë në përputhje me angazhimet dhe synimet e MAShT për ngritjen e cilësisë në arsim.