Bytyqi: Projektligji për arsimin e lartë është në fazën finale të realizimit
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë të martën në takimin e radhës të Këshillit Ministror për Integrim Evropian (KMIE), ku është diskutuar rreth zbatimit të Agjendës Evropianë të Reformave (ERA).
Bytyqi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se veprimet kryesore që është dashur t’i ndërmarrë MAShT-i në aspektin e realizimit të ERA-s është Ligji për arsimin e lartë në Kosovë.
Postimi i plotë i Bytyqit:
Sot mora pjesë në takimin e radhës të Këshillit Ministror për Integrim Evropian (KMIE), ku u diskutua rreth zbatimit të Agjendës Evropianë të Reformave (ERA) si dhe nevojën e angazhimeve maksimale të të gjitha institucioneve për rritjen e shkallës së përmbushjes dhe zbatimit të planit kombëtarë për MSA-në.
Ndër veprimet kryesore që është dashur të bëjë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në aspektin e realizimit të ERA-s është Ligji për arsimin e lartë në Kosovë.
Ky projektligj është në fazën finale të realizimit, janë mbajtur diskutimet paraprake publike lidhur me këtë si dhe janë mbajtur rreth 8 takime për inkorporimin e të gjitha diskutimeve publike dhe tashmë është në procedurë të përkthimeve si dhe në procedurë të miratimeve nga ministritë përkatëse (Ministria e Integrimeve dhe Ministria e Financave) dhe në fillim të shtatorit do të dërgohet për miratim në Qeveri.
Sigurisht, mbetet sfidë miratimi i tij në Parlament, për faktin se për këtë nevojiten dy të tretat e votave, përfshirë këtu edhe votat e përfaqësuesve të komuniteteve, gjë që mund të na sjellë vonesa në miratimin e këtij ligji.
Edhe veprimet tjera në kuadër të ERA-s janë realizuar duke përjashtuar këtu Agjencinë për kurrikula, që në ketë fazë është i pa realizuar, por sqarova se MAShT ka filluar një reformë brenda institucionit në aspektin e rifunksionalizimit të ministrisë që po bëhet së bashku me bashkësinë evropiane dhe në kuadër të kësaj reforme Agjencia për kurrikula aktualisht është menduar të jetë divizion.
Gjatë këtij raportimi, ritheksova se sfida kryesore mbetet miratimi i Ligjit për arsimin e lartë.
/Epoka e re/