Bytyqi: Kemi njoftuar organet kompetente për shpërndarjen e testeve në rrjetet sociale
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi ka vizituar qendrën e testimit në shkollën “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj për të parë nga afër zhvillimin e testit të maturës.
Ai ka thënë se rezultatet e këtij testimi do të shpallen më 1 qershor, duke shtuar se pret që ato të jenë më të mira se vitet e kaluara.
Më tutje, ministri Bytyqi ka folur për shpërndarjen e testeve në rrjetet sociale, duke thënë se janë marrë të gjitha masat me institucionet përgjegjëse dhe se kjo nuk do të ketë ndikim në rezultate, raporton “EO”.
“Ne menjëherë i kemi njoftuar organet kompetente dhe janë duke u shqyrtuar rastet konkrete. Por ajo çka është parë nuk ka ndikuar në rezultate. Ne presim rezultatet më të mira sepse konsiderojmë që këtë vit ka qenë një angazhim i përgjithshëm. Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me nivelin lokal dhe kjo ka ndikuar që përgatitje në përgjithësi për këtë vit të jenë më të mira dhe presim rezultate më të mira”, ka thënë Bytyqi.
Sot ka filluar testi i Maturës Shtetërore 2018. Dy rajonet e para që janë përzgjedhur me short publik ku do mbahet testi janë Gjilani dhe Ferizaj. Në rrjete sociale ka filluar të shpërndahet testi i grupit A dhe B. Disa maturantë kanë dërguar fotografi në një grup të përbashkët ku po kërkojnë ndihmë me pyetje të parashtruara.