Bytyqi takohet me grupin e miqësisë Kosovë-Kroaci, diskutojnë për shkëmbim të nxënësve
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka pritur në takim grupin e miqësisë ndërparlamentare Kosovë-Kroaci, të kryesuar nga deputetja e Parlamentit të Kroacisë, Ermina Lekaj- Prljaskaj, njëherësh udhëheqëse e këtij grupi, e cila është duke qëndruar në Kosovë me rastin e Ditës së Republikës së Kroacisë.
Në këtë takim, Bytyqi ka thënë se kanë biseduar për mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit në mes dy vendeve.
“Në takimin që pata me Grupin e miqësisë ndërparlamentare Kosovë-Kroaci, të prirë nga deputetja e Parlamentit të Kroacisë, Ermina Lekaj-Prljaskaj, njëherit udhëheqëse e këtij grupi, e cila po qëndron në Kosovë me rastin e Ditës së shtetit të Republikës së Kroacisë, biseduam për mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit në mes dy vendeve, me theks të veçantë mundësitë e shkëmbimit të nxënësve, si dhe mundësitë për mësimin e gjuhës kroate në Kosovë dhe anasjelltas”.
“Shpreha gatishmërinë time për të thelluar bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit të Kroacisë, me qëllim që të krijohen mundësi të mira shkollimi për nxënësit dhe studentët shqiptarë që jetojnë në këtë vend, por edhe të rinjtë tjerë nga Kosova që dëshirojnë të shkollohen në Kroaci. Tashmë ekziston një memorandum bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, por se mund të plotësohet e ndryshohet me pëlqimin e dy palëve, sipas nevojave e trendëve bashkëkohore të arsimimit dhe edukimit”, ka shkruar Bytyqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/