Bytyqi takon ambasadorin e Maqedonisë, flasin për bashkëpunimin në fushën e arsimit
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka pritur të martën në takim ambasadorin e Maqedonisë në Kosovë, Ilia Strashevski, me të cilin ka biseduar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si dhe për temat e mundshme për diskutim në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.
“Bashkëpunimi rajonal është në të mirë të ngritjes së cilësisë në arsim në të gjitha vendet e rajonit dhe MAShT-i është e hapur për bashkëpunim, sidomos me vendet fqinje. Në mesin e temave që janë planifikuar të diskutohen në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive është edhe njohja e diplomave mes dy shteteve dhe mundësitë e lehtësimit të procedurave për nostrifikimin e tyre, si dhe mobiliteti i studentëve, profesorëve, etj”, ka shkruar Bytyqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Bytyqi ka thënë se ambasadori Strashevski, ka theksuar se Maqedonia ka një bashkëpunim të mirë me Kosovën në fushën e arsimit, por sipas tij ka hapësirë për thellimin e bashkëpunimit.
“Gjithashtu, përmendi faktin se tashmë është duke funksionuar edhe Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup, ku Kosova mund të japë kontribut në zhvillimin e këtij Universiteti. Gjatë këtij takimi, bashkëbiseduam edhe për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e shkencës, në mënyrë që të të dy vendet të përfitojnë nga fondet e Bashkimit Evropian me projekte të përbashkëta”, ka shkruar Bytyqi.