Bytyqi: Vendimi për zëvendësimin e orëve është marrë nga tri palë
Ministri i Arsimit në Qeverinë e Kosovës, Shyqyri Bytyqi, ka thënë se vendimi për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës ka pasur si qëllim që viti shkollor të shkojë si duhet dhe nxënësit të mos humbin mësim.
Bytyqi, në emisionin “Përballje” në “RTV Dukagjini”, ka thënë se vendimi nuk është marrë vetëm nga Ministria, por sipas tij ka pasur koordinim edhe me drejtoritë komunale të arsimit dhe Këshillin e Prindërve.
“Kemi parë edhe diasponimin e prindërve nëse ata janë për zëvendësimin e orëve të humbura në mënyrë që të mos humbin fëmijët e tyre. Pas konsultave me Këshillin e Prindërve morëm edhe nga ata një sinjal pozitiv për zëvendësimin e orëve”.
Bytyqi ka thënë se MASHT-i ka obligim të bëjë zbatimin e politikave, ndërsa drejtoritë komunale të arsimit kanë thënë se është e nevojshme zëvendësimi i orëve.
“Ka pas diskutime të gjëra dhe propozime të ndryshme. Ky propozim për këtë mënyrë zëvendësimi ka ardhur nga drejtori i Arsimit nga Komuna e Shtimes. Propozimi është hedhur në votim dhe të gjithë kanë qenë pro zëvendësimit të orëve të humbura gjatë grevave”, tha Bytyqi, përcjell “Telegrafi”.
Ministri i Arsimit ka insistuar se vendimi për zëvendësimin e orëve nuk është marrë “krye në veti”.
“Ne nuk kemi marrë vendim për të atakuar SBASHK-un. SBASHK- nuk ka qenë palë në këtë mes. Në asnjë ligj nuk shkruhet që SBASHK-u do të jetë zbatues i ndonjë vendimi që merr Ministria e Arsimit… Vendimi ynë ishte për të mbrojtur të drejtat e nxënësve, nuk kishte të bënte me mësimdhënësit”.
Bytyqi ka thënë se është faktike që hendeku mes MASHT-it dhe SBASHK-ut ekziston, por sipas tij, zënkave dikush u ka fryrë me apo pa qëllim.
Ai ka thënë se vazhdimisht ka qenë në përkrahje të SBASHK-ut, por greva e tyre duhej të ishte e barazvlefshme me disa sektorë që me ligj nuk kanë të drejtë të hyjnë në grevë.
“Nuk është e njëjtë si të hyjë në grevë një ndërmarrje prodhuese, me grevën e SBASHK-ut, pasi ka të bëj me arsimimin e fëmijëve”, u shoreh Bytyqi