Bytyqi vizitoi nxënësit të cilët iu nënshtruan testit të arritshmërisë 

31 maj 2019 | 13:53

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka vizituar sot gjimnazin ‘Skënderbeu’, në Kaçanik, në të cilin po mbahej testi i arritshmërisë, me nxënësit e klasave të nënta, të kësaj komune.

Me këtë rast, ministri i shoqëruar nga kryetari i komunës, Besim Ilazi kanë takuar Këshillin Drejtues të këtij gjimnazi, me të cilët biseduan rreth mbarëvajtjes së procesit mësimor në këtë institucion dhe për zhvillimet në arsim në komunën e Kaçanikut.

Në këtë takim, ministri Bytyqi ka shprehur përkrahjen e Ministrisë së Arsimit për sigurimin e ambienteve të përshtatshme për fëmijët tanë dhe motivimin e mësimdhënësve, duke ofruar ambiente të përshtatshme për mësimdhënie.

“Nga vizitat që po i bëjmë në shkolla jo vetëm që po shohim se si po mbahet testi i arritshmërisë, por bashkë me drejtorin dhe drejtuesit lokal po diskutojmë për punën e mësimdhënësve tanë. Pra, vetëm kur fillon debati dhe diskutimi mund të shihet se sa kemi nevojë që niveli qendror dhe niveli lokal, bashkë me mësimdhënësit të diskutojmë për sistemin arsimor si dhe për nevojat që kanë vet shkollat”, ka thënë ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi po ashtu tha se testi i arritshmërisë është një mundësi e mirë që nxënësit të dëshmojnë të arriturat e tyre gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm të ulët, ndërsa tha se pret rezultate të mira nga ky test.

Ministri Bytyqi, gjatë ditës së sotme ka vizituar edhe shkollën fillore “Idriz Seferi”, ku po ashtu takoi Këshillin Drejtues të shkollës, me ç’rast shprehu përkushtimin e Ministrisë së Arsimit për të krijuar kushte dhe ambient të mirë në shkolla.

Në këtë shkollë, ministri po ashtu pati rastin që për disa çaste të qëndrojë me fëmijët parashkollor, të cilët kishin përgatitur një program të shkurtër artistik për të shënuar festën “1 Qershori”.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bardhyl Mahmuti -Përdorimi i gabueshëm i termit “eksod” Në mars…