Bytyqi vlerëson kontributin e shtetit gjerman për Kosovën
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur të enjten në takim zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland me bashkëpunëtorë, me të cilët ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit në sektorin e arsimit mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Ministri Bytyqi ka falënderuar shtetin gjerman për përkrahjen e vazhdueshme në përmirësimin dhe zhvillimin e sistemit të arsimit në Kosovë, me ç’rast ka theksuar kontributin e çmuar të GIZ-it.
Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për vazhdimin e implementimit të Memorandumit për mobilitetet e nxënësve dhe mësimdhënësve mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Po ashtu, ministri Bytyqi dhe zëvendëspresidenti Wieland kanë diskutuar edhe për programin “Erasmus +” dhe mundësinë e qasjes sa më të madhe në këtë program.
Rreth kësaj, ministri Bytyqi ka theksuar se në fillim të muajit qershor të këtij viti do të nënshkruajë marrëveshjen rreth programeve të “Erasmus +”.
Në këtë takim u bisedua edhe për zhvillimet në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional.
Ministri Bytyqi ka theksuar se viti 2018 është shpallë si vit nacional për arsimin dhe aftësimin profesional.
Rreth kësaj, ministri Bytyqi ka thënë se jemi në fazën fillestare të hartimit të një Strategjie për arsimin profesional dhe për këtë tha se jemi duke diskutuar dhe duke parë përvojat dhe modelet më të mira ndërkombëtare.
Ministri Bytyqi, po ashtu tha se, shumë shpejt do të kemi edhe vizita në shtetin gjerman, ku nga afër do të shihet edhe organizimi që ka Gjermania në arsim profesional.
/Epoka e re/