Çadraku: Në maj-qershor të ’98-s, shtabi i përgjithshëm s’ka mundur që të organizojë strukturat e UÇK-së
Dëshmitari Halil Çadraku, ka thënë të mërkurën në Hagë se sa i takon periudhës së majit dhe qershorit të vitit 1998, shtabi i përgjithshëm nuk ka mundur që të bëjë organizime të strukturës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ai këtë deklarim e ka bërë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Christoph Barthe, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Unë mendoj se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka mundur të organizojë të gjitha organizimet nëpër fshatra, nëpër terrene, por gjithmonë ka pasur një njeri. Unë mund ta marr shembull vetëm veten dhe atëherë të nisemi nga kjo që mund të kuptojmë se ndoshta kështu ka mund të ndodhë edhe nëpër vende të tjera”, ka thënë Çadraku.
Ai është pyetur se a e din nëse Thaçi dhe Veseli kanë punuar për organizimin e UÇK-së, duke bërë ndërlidhje në mes të Shtabit të Përgjithshëm dhe të tjerëve që ishin jashtë Kosovë gjatë periudhës para luftës. Dëshmitari ka thënë se nuk ka njohuri lidhur me këtë çështje.
Ndërsa kur është pyetur për Ekrem Rexhën dhe Mujë Krasniqin si dhe dyshimet për vrasjen e këtij të fundit, dëshmitari ka thënë se më vonë kishte lexuar diku që Mujë Krasniqi kishte lidhje familjare me Rexhep Selimin.
Çadraku ka thënë se tri herë ka shkuar në Shtabin e Përgjithshëm. Megjithatë, shtoi se nuk ka kontaktuar me ata drejtpërdrejt.
“Unë kam qenë tri herë gjatë luftës në Shtab të Përgjithshëm. Kontaktimet e mia gjithmonë jam munduar që t’i bëj përmes komandës. Nuk më kujtohet që të kem kontaktuar ndonjëherë direkt pa kontaktimin e komandantit përpos ato shkrimet që i kemi lexuar dje”, ka thënë ai.
Dëshmitari është pyetur për Hashim Thaçin se a ka qenë anëtar i Shtabi të UÇK-së, por ka thënë se të gjithë personat që përmenden pas lufte lidhur me këtë pjesë, i perceptojnë si pjesë e asaj strukture, por që për asnjërin nuk e di se çfarë pune kanë bërë.
“Nuk e di se çfarë të them. Të gjithë këta shokët që janë përmendur pasluftës, të gjithë i perceptojmë si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm si Azem Sylën, Xhavit Halitin, si Hashim Thaçin, si Rexhep Selimin, si Jakup Krasniqin, si Kadri Veselin. Domethënë, as unë nuk mund të them sot me saktësi se sa anëtarë kishte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së apo Shtabi Qendror, i cili ashtu quhej në një kohë. Nuk e di me saktësi të them se a ka qenë, mirëpo në një kohë perceptimi si një luftëtar, të gjithë këta emra i pranoj si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, pavarësisht se çfarë detyre kanë pasur brenda saj”, ka thënë Çadraku.
Për Sabit Gecin, dëshmitari Halil Çadraku, ka thënë se nuk e di se çfarë roli ka pasur në UÇK.
“Nuk e di se çfarë detyre ka pasur Sabit Geci në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë dëshmitari Çadraku.