Cagliari interesohet për Dakun
Sulmuesi i Kombetarës së Shqipërisë, Mirlind Daku është bashkuar me shokët te rusët e Rubin Kazan. Zërat në merkato nuk mungojnë, ku sipas raportimeve më të fundit, të televizionit “Match TV”, për futbollistin e Kombëtares shqiptare ofertë konkrete ka dërguar klubi i Serie A, Cagliari.
Skuadra nga ishulli i Sardenjës dëshiron ta ketë në radhët e veta 26-vjeçarin, por ende nuk kanë marrë një përgjigje konkrete. Më herët, vlerësimi për kartonin e Dakut në Rusi ka qenë nga 10 deri në 12 milionë euro dhe shpresa ishte që ai të kishte një rol në Evropian, mirëpo “bomberi” nga Gjilani luajti pak në Gjermani.
Megjithatë, ajo që ai ka bërë edicionin e kaluar është për t’u vlerësuar, me sulmuesin shqiptar që shënoi 10 gola dhe shërbeu katër herë në 33 ndeshje.