Çahet toka në Gjirokastër
Të paktën 15 familje të një pallati dhe disa shtëpive në Gjirokastër hynë në një situatë rreziku pas rrëshqitjeve të dheut që ndodhën në shpatin e kodrës në lagjen Zinxhira të qytetit.
Çarja tërthore e një masivi me shtuf në një gjatësi disa metra është ndjerë nga banorët e pallatit dhe shtëpive si lëkundje tërmeti. Një banesë pësoi plasaritje, ndërsa banorët të përfshirë nga paniku kërkojnë zgjidhje.
Në vlerësimin paraprak drejtori i Gjeologjisë, Çano Nora tha se shkak për rrëshqitjen janë bërë punimet për ndërtimin e një pallati në fund të kodrës edhe pse kjo zonë është e klasifikuar si e papërshtatshme për ndërtime.
Sipas Norës, duhen marrë masa urgjente për drenazhimin e ujërave dhe ndërtimin e mureve mbrojtëse. Ende nuk ka një thirrje për evakuim të banorëve, megjithatë rrëshqitja konsiderohet aktive dhe pritet që vlerësimet e detajuara të përcaktojnë edhe menaxhimin e situatës në vijimësi.