Çaka, gati për Superligë
Në sezonin vjeshtor Vala Superliga pritet të pasurohet edhe me një gjyqtar të ri dhe me perspektivë të madhe. Bëhet fjalë për gjyqtarin Dardan Çaka, i cili është nga Vushtrria. “Jam pajisur me diplomën e kërkuar në qershorin e vitit 2016. Gjatë kësaj kohe jam përgatitur mirë, duke i ndjekur edhe disa seminare të organizuara nga FFK-ja dhe Komisioni i Gjyqtarëve. Normalisht se jam i gatshëm dhe mezi pres debutimin në Vala Superligë”, ka thënë Çaka.
Gjyqtari Dardan Çaka është gati për ta bërë hapin e madh në karrierë, pra për të debutuar në rangun më të lartë në futbollin e Kosovës, Vala Superligë.
I kontaktuar të mërkurën nga redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re”, Çaka ka thënë se ndihet i përgatitur në të gjitha aspektet dhe mezi pret ditën për të debutuar në elitë. “Jam pajisur me diplomën e kërkuar në qershorin e vitit 2016. Gjatë kësaj kohë jam përgatitur mirë duke i ndjekur edhe disa seminare të organizuara nga FFK-ja dhe Komisioni i Gjyqtarëve. Normalisht se jam i gatshëm dhe mezi pres debutimin në Vala Superligë”, ka thënë Çaka, i cili pret që ëndrra t’i plotësohet në sezonin pranveror të edicionit 2017/2018.
Paraqitjet e Çakës në sezonin vjeshtor në Ligën e Parë kanë qenë pozitive dhe janë vlerësuar lart nga komisioni i gjyqtarëve.
Ai në këtë sezon nga tetë ndeshje që i ka drejtuar i ka shpërndarë nëntë kartonë të kuq, duke qenë në mesin e atyre gjyqtarëve që nuk janë aspak tolerantë ndaj futbollistëve të ashpër.
Gjyqtari është shprehur i kënaqur me hapësirën që ka pasur në Ligën e Parë, kurse ka vlerësuar se gjatë vjeshtës ka pasur ndeshje mjaft të forta në këtë rang garash dhe ngritje të cilësisë.
“Ka qenë një stinor i fortë dhe me ndeshje interesante në Ligën e Parë, kurse kam pasur paraqitje të mjaftueshme. Realisht ka ngritje të cilësisë në të gjitha rangjet sa i përket Ligës së Parë aty ku kam kaluar kohë më të madhe, është përmirësuar dukshëm referimi dhe loja ‘fair-play’, por mungon shumë infrastruktura gjë që e vështirëson rrjedhën e lojës”, ka theksuar Çaka, duke shtuar se: “Komisioni i gjyqtarëve në krye me kryetarin Përparim Hasani ka bërë punë të madhe sa i përket avancimit të gjyqtarëve të rinj, duke organizuar seminare të ndryshme që shërbejnë në rritjen e cilësisë”.
(Veton ZYMBERI)