Cakaj: Bashkëpunimi rajonal pjesë thelbësore për ta përshpejtuar anëtarësimin në BE
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka marr pjesë në në mbledhjen virtuale të ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve mbështetëse të Procesit të Berlinit, ku ka shprehur përkushtimin e Shqipërisë për bashkëpunim rajonal dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se tema qendrore e bisedës së këtij takimi ishte rinia dhe shoqëria civile.
Sipas tij, bashkëpunimi rajonal nuk është zëvendësim, por pjesë thelbësore për ta ndihmuar e përshpejtuar anëtarësimin në Bashkim Evropian.
Postimi i plotë i Cakajt:
Sot, në mbledhjen virtuale të ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve mbështetëse të Procesit të Berlinit, shprehëm edhe një herë përkushtimin e Shqipërisë për bashkëpunim rajonal dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Tema qendrore e bisedës së sotme ishte rinia dhe shoqëria civile.
Është thelbësore të vazhdojë mbështetja për nismat në shërbim të forcimit të rinisë, shoqërisë civile dhe pajtimit ndëretnik, sikurse RYCO dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, ekziston një nevojë e dukshme për të pasur një qasje më dinamike për zbatimin e prioriteteve të Procesit të Berlinit, sa i përket tregut e ekonomisë, ndërlidhjes më të madhe e lëvizjes së lirë, shërbimeve për njerëzit e digjitalizimit, në përgjithësi.
Është e qartë, sa i përket Shqipërisë: bashkëpunimi rajonal nuk është zëvendësim, por pjesë thelbësore për ta ndihmuar e përshpejtuar anëtarësimin në Bashkim Evropian.