Cakaj kërkoi anëtarësimin e Kosovës në OKB
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, në mbledhjen e organizuar nga Presidenca Estoneze e Këshillit të Sigurimit, për 75-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë, ka kërkuar nga shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të njohin Kosovën shtet të pavarur.
Përmes videokonferencës, ai ka deklaruar se Shqipëria kërkon anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota në OKB.
“Republika e Shqipërisë, jo vetëm që kërkon njohjen globale të Kosovës, por edhe e përkrah ambicien legjitime të saj për të qenë pjesë me të drejta të plota e Kombeve të Bashkuara. Ajo ka demonstruar një kapacitet të jashtëzakonshëm për të gjeneruar demokraci të qëndrueshme, për të mbrojtur të drejtat e minoriteteve si dhe ajo dallohet në rajon e më tej në vullnet për t’iu përmbajtur vlerave më të mira ndërkombëtare”, ka thënë pos tjerash Cakaj.
“Sapo mbylla fjalën në mbledhjen e organizuar nga Presidenca e Estonisë e Këshillit të Sigurimit, për të diskutuar mbi zhvillimet politike 75 vite pas mbarimit të luftës së dytë botërore. Nënvizuam jo vetëm kontributin historik të Shqipërisë në mposhtjen e forcave nazi-fashiste, por edhe kontributin e sotëm në shërbim të paqes, sigurisë dhe lirive e të drejtave themelore në botë. Po ashtu, mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në OKB! Si Kryesi e OSBE-së, Shqipëria ka dëshmuar aftësinë e saj për kryerjen e suksesshme të përgjegjësive të jashtëzakonshme ndërkombëtare. Mbi këtë bazë, angazhimi ynë është i pakursyer për të siguruar ulësen e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit 2022-2023”, ka shkruar Cakaj në profilin e vet në “Facebook”./ (A. M / Epoka e re).