Cakaj: Kongresisti Engel e tha qartë, Serbia ta njohë Republikën e Kosovës

10 dhjetor 2020 | 16:27

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punë të Jashtme në Qeverinë e Shqipërisë, Gent Cakaj ka vlerësuar lartë fjalimin e presidentit të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve amerikan, Eliot Engel, duke thënë se ai shprehu fare qartë, jo vetëm thirrjen që Serbia të pajtohet me realitetin e ri në Ballkan, duke njohur Republikën e Kosovës, por edhe absurditetin e plotë të pengimit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Cakaj duke iu referuar fjalimit të fundit të kongresistit mbi Ballkanin, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” se derisa ai është i qartë në rëndësinë e vënies së drejtësisë për këdo që ka kryer krime, ai po ashtu thekson se Serbia pothuajse s’ka bërë asgjë në ndëshkimin e krimeve të luftës, duke përmendur veçanërisht rastin e vëllezërve Bytyqi, raporton “Epoka e re”.

“Kongresmeni Engel ka qenë një prej zërave më të vyer, mbështetësve më të mëdhenj dhe personave më të angazhuar për pavarësinë e Republikës së Kosovës, për tre dekada radhazi. Për këtë, ai meriton falënderime të pamata e mirënjohje të pafundme”, ka shkruar Cakaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 20 vjetorit të themelimit të Agjencisë Kadastrale…