Cakaj: Mbretëria e Bashkuar vlerëson lartë ujdinë ndërpartiake për reformën zgjedhore
Ministri për Evropën dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka zhvilluar të hënën një bisedë me ministren për Fqinjësinë Evropiane dhe Amerikat të Mbretërisë së Bashkuar, Wendy Morton.
“Biseduam veçanërisht për bashkëpunimin tonë të shkëlqyer në kuadër të OSBE-së. Po ashtu, Ministren e informova për synimin e Shqipërisë për të shërbyer si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në 2022-2023”, ka bërë me dije Cakaj.
Ai ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar vlerëson lartë ujdinë ndërpartiake për reformën zgjedhore dhe mbështet fuqishëm rrugën evropiane të Shqipërisë. “Në fund, u pajtuam të vazhdojmë bisedimet për lidhjen e disa marrëveshjeve për të thelluar marrëdhënien dypalëshe mes dy vendeve tona”, ka thënë Cakaj.
(M.Q / Epoka e re)