Cakaj ndryshon 50 diplomatë shqiptarë (Video)
Pas shkarkimit të 28 diplomatëve dy muaj më parë Gent Cakaj, ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në emër të asaj që i ka quajtur objektiva madhore të diplomacisë dhe reformimit të brendshëm, ka njoftuar për “fshesën” e radhës në këtë ministri.
“Sot komunikoj para jush vendimin për largimin nga detyra, ndryshimin e funksioneve në detyrë apo transferimin e menjëhershëm prej angazhimeve aktuale të më tepër se 50 diplomatëve shqiptarë”, tha ai.
Ministri Cakaj ka dhënë arsyet përse ka ndërmarr këtë operacion të dytë spastrimesh.
“Disa prej tyre për shkaqe disiplinore, disa prej tyre për tejkalim të kompetencave, shpërfillje të detyrave në punë apo veprim në shpërputhje me normat diplomatike’, është shprehur Cakaj.
“Fortuna e shkarkimeve Cakaj” do të vijoj edhe me konsullatat.
“80 për qind e konsullatave nëpër botë nuk do të jenë më të njëjta. Ato duhet të ndryshojnë rrënjësisht për shkaqe strukturore dhe për nevojën e rritjes së shërbimeve”, ka thënë Cakaj.
Ministri Cakaj ka lëshuar një tjetër paralajmërim për mbajtësit e pasaportave diplomatike.
“Në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, mbi 50 për qind e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit do të shpallen të pavlefshme dhe do të jenë jashtë funksionit. Këtu kujtoj, për të gjithë ju, se numri i pasaportave Diplomatike të Shqipërisë dhe numri i pasaportave të Shërbimit të Shqipërisë shkon mbi 2500 dhe kjo është jo vetëm në norma të papranueshme, por në fakt, është një praktikë e pabesueshme”, është shprehur Cakaj.