Cakaj në majë të Jezercës me doktorin e UÇK-së

11 janar 2021 | 13:08

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka publikuar në llogarinë e vet në “Facebook” një fotografi me ish-deputetin e PDK-së, Fatmir Xhelili nga maja e Jezercës.

Cakaj ka thënë se Fatmir Xhelili i ka dhënë krejt çka mundur Kosovës, në ditët më të vështira e në orët më vendimtare të historisë së saj të vonë.

Postimi i plotë i Cakajt:

Në majë të Jezercës me Doktorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Fatmir Xhelili i ka dhënë krejt çka mundur Kosovës, në ditët më të vështira e në orët më vendimtare të historisë së saj të vonë:
Kur paqja u bë e pamundur, ai u bë një prej themeluesve të UÇK-së, kur lufta u bë domosdoshmëri, ai shërbeu si drejtues i lartë institucional e politik i saj, kur ballafaqimi ushtarak përfshiu rëndë tërë vendin, ai shërbeu me vetëmohim si ushtar i zakonshëm e pranë nevojtarëve si mjek i jashtëzakonshëm lufte, kur shtetndërtimi ishte në pyetje, ai punoi pakursyer me vetëdije të lartë kombëtare në mbrojtje të interesave të Kosovës, kur po shpallej mëvetësia, ai nuk festoi gjatë e shumë si të tjerët sepse ishte në krye të qendrës për ruajtjen e sigurisë vendore në bashkërendim të plotë me miqtë ndërkombëtar, kur forcimi i brendshëm institucional u bë sfida kryesore e Republikës, ai punoi me zell e nder, profesionalizëm dhe dinjitet, pavarësisht përkatësisë partiake, në të mirë të Kosovës.
Doktor Xhelili mbetet i të gjithëve sepse iu dha gjithmonë përparësi interesave shtetërore të Kosovës dhe interesave kombëtare të shqiptarëve.
Miqësinë time me Doktorin nuk e ka ndarë asnjëherë dallimi në moshë, sepse e ka bashkuar dashuria për Shqipërinë, Kosovën, përkushtimi për të punuar papushim për çështjen shqiptare. Miqësia e ngushtë me të ka qenë sa nder, aq edhe mësim, sa frymëzim i vazhdueshëm aq edhe shembull i prekshëm se si duhet atdheu pa kushte.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, menjëherë pas formimit…