Cakaj-Reeker: SHBA-ja mbështet në mënyrë absolute hapjen e negociatave
Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka bërë publike detaje nga takimi me zyrtarin e lartë amerikan, Philip Reeker, i cili shërben si Ndihmës Sekretar i Shtetit.
Cakaj shkruan se SHBA-ja mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë në tetor.
“Bazuar mbi modelin e pakrahasueshëm të reformës në drejtësi dhe rëndësinë gjeostrategjike të thellimit të lidhjeve midis Shqipërisë dhe BE-së, SHBA-së mbështesin në mënyrë absolute hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor”, shkruan Cakaj.
Cakaj thotë se reforma në drejtësi është një model rajonal për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se reforma në drejtësi s’mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe ajo përbën një model për rajonin dhe përtej”, thotë Cakaj.
Ministri në Detyrë Cakaj shkruan se në takim u nënvizua “marrëdhënia e shkëlqyer dhe partneriteti i patjetërsueshëm strategjik” midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai prek dhe rëndësinë e çështjeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Në takim u theksua rëndësia e konsolidimit të mëtejmë të bashkëpunimit rajonal dhe nevoja absolute e mbylljes së çështjeve dypalëshe në të gjithë hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Angazhimi i ShBA-ve do të jetë maksimal në shërbim të realizimit të këtij objektivi”, shkruan Cakaj.
Ministri shton se Shqipëria është një partner strategjik i SHBA-së, por edhe një aleat aktiv në kuadër të NATO-s me kontribut të spikatur në operacionet paqeruajtëse të Aleancës.
“SHBA-ja vlerëson pozitivisht rritjen progresive të buxhetit të mbrojtjes së Shqipërisë për ta jetësuar planin për realizimin e 2% të buxhetit në shërbim të mbrojtjes deri në 2024”, thotë Cakaj.
Ministri në Detyrë thotë se SHBA-ja është referenca e pazëvendësueshme dhe e patjetërsueshme e politikës së jashtme të Shqipërisë.
“Shqipëria është e përkushtuar ta thellojë bashkëpunimin e kultivojë partneritetin me SHBA-në në të gjitha fushat përkatëse! Orientimi euroatlantik është themeli vleror i politikës së jashtme të Shqipërisë në përgjithësi! SHBA-ja është referenca e pazëvendësueshme dhe e patjetërsueshme e politikës së jashtme të Shqipërisë”, ka shkruar Cakaj në profilin e vet në “Facebook”.