Cakaj: Serbia ka dështuar për zbardhjen e krimeve të luftës
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka pritur në takim të mbijetuarën e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi dhe drejtorin e organizatës joqeveritare “Drejtësi për të gjithë”, Nafi Krasniqi.
Cakaj është njoftuar nga ta me kauzën më madhore të zbardhjes së krimeve të luftës në Kosovë dhe promovimin e vlerave dhe lirive themelore në përgjithësi. “Pajtohem plotësisht me pikëpamjen e tyre, se Serbia ka dështuar për adresimin e krimeve të luftës, spastrimit etnik dhe gjenocidit në mënyrë të qëllimshme dhe për arsye politike. Vendosja e drejtësisë së plotë dhe procesi i pajtimit të qëndrueshëm përbëjnë interes jetik për rajonin në tërësi’, tha Cakaj në një njoftim në llogarinë e vet në “Facebook”.
Cakaj shtoi se të gjithë së bashku duhet të punojnë për këtë kauzë. “Puna në funksion të kësaj kauze na detyron të gjithëve së bashku në përgjithësi dhe secilin prej nesh në veçanti. Mbetem tejet i frymëzuar nga guximi i tyre për ta rrëfyer të vërtetën pavarësisht pasojave dhe për të punuar përmbajtësisht në shërbim të drejtësisë si faktor thelbësor i pajtimit”, tha Cakaj, duke bërë me dije se do ta mbështesë këtë kauzë në vazhdimësi dhe në mënyrë sistematike, sikundër Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë pakursyer Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.