Cakaj: Shqipëria gëzon mbështetjen e Gjermanisë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj është takuar me homologun e tij gjerman, Heiko Maas, me të cilin ka diskutuar për domosdoshmërinë e fuqizimit të procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e patjetërsueshme të çeljes së negociatave për anëtarësim për Shqipërinë vitin e ardhshëm.
“Shqipëria gëzon mbështetjen e Gjermanisë për hapjen e negociatave vitin që vjen!”, ka shkruar Cakaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi plotë i Cakajt:
Sot gjatë vizitës zyrtare në Berlin zhvilluam edhe një takim dypalësh me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas!
Diskutuam hollësisht për domosdoshmërinë e fuqizimit të procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e patjetërsueshme të çeljes së negociatave për anëtarësim për Shqipërinë vitin e ardhshëm.
Shqipëria gëzon mbështetjen e Gjermanisë për hapjen e negociatave vitin që vjen!
Po ashtu, ndamë qëndrime të njëjta lidhur me vazhdimin e reformave transformuese të Shqipërisë dhe plotësimin e kushteve të paraqitura nga Bundestagu në funksion të rrugëtimit evropian!
Në fund, shprehëm mirënjohjet më të veçanta për mbështetjen e jashtëzakonshme të Gjermanisë për përballimin e pasojave të tërmetit që nga fillimi! Po ashtu, Maas konfirmoi gatishmërinë e tij të mëtejme për ta ndihmuar Shqipërinë në planin e riparimit dhe rindërtimit!
Gjithmonë falënderues për mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimin institucional e demokratik dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë në përgjithësi!
/Epoka e re/