Cakaj takohet me ambasadorin e ri të Kosovës në Shqipëri
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka takuar ambasadorin e ri të Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani.
Në këtë takim, sipas Cakajt, ata kanë nënvizuar nevojën për krijimin e një momentumi të ri bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Thellimi i marrëdhënieve mes dy vendeve në drejtim të krijimit të një hapësire të unifikuar tregtare dhe një bashkësie të vetme doganore është e një rëndësie të posaçme strategjike dhe pragmatike. Do të punojmë ngushtësisht për të ngritur bashkëpunimin e dy shteteve që i përkasin një kombi në nivele krejtësisht të reja”, ka shkruar Cakaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Cakajt:
Një takim shumë i hapur e përmbajtjesor me Ambasadorin e ri të Republikës së Kosovës në Shqipëri, z. Nait Hasani!
Nënvizuam bashkërisht nevojën për krijimin e një momentumi të ri bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë! Thellimi i marrëdhënieve mes dy vendeve në drejtim të krijimit të një hapësire të unifikuar tregtare dhe një bashkësie të vetme doganore është e një rëndësie të posaçme strategjike dhe pragmatike.
Do të punojmë ngushtësisht për të ngritur bashkëpunimin e dy shteteve që i përkasin një kombi në nivele krejtësisht të reja!
Po ashtu, theksuam veçanërisht nevojën që Republika e Shqipërisë dhe Kosovës të veprojnë njëzëri për adresimin e krimeve të luftës, projekteve të spastrimit etnik dhe gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë! Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton edhe adresimin e krimeve sistematike të Serbisë ndaj popullit shqiptar në Kosovë.
Si mbështetëse e pakushtëzuar e Republikës së Kosovës, Shqipëria nënvizon edhe domosdoshmërinë e parashtrimit të çështjes së dëmshpërblimeve të luftës nga ana e Serbisë. Ky proces duhet të përmbyllet me njohjen përfundimtare të Republikës së Kosovës nga Serbia si parakusht i drejtësisë historike dhe përparimit të rajonit.
Diskutuam për nevojën e bashkërendimit të veprimeve politike kundër përpjekjeve të Serbisë për tërheqjen e njohjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Shqipëria do të intensifikojë angazhimin për mbështetjen e Republikës së Kosovës dhe fuqizimin e mëtejmë të saj në arenën ndërkombëtare!
Puna e përbashkët ndër-shtetërore duhet të zhvillohet nën dritën e idealeve më larta kombëtare!
/Epoka e re/