Cakaj takohet me Borrellin: Spanja përkrah Shqipërinë për sfidën drejt BE-së
Në kuadër të punimeve të takimit joformal të ministrave të jashtëm të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka zhvilluar një takim me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit të Spanjës, Josep Borrell.
Cakaj nëpërmjet llogarisë se vet në “Facebook” ka bërë me dije se Spanja përkrah Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian (BE).
“Takimi me ministrin e Jashtëm të Spanjës, Josep Borrell, spikati në tre elemente kryesore: Së pari, domosdoshmërinë e thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Spanjës, veçanërisht duke rritur nivelin e komunikimit të lartë politik dhe duke shtuar bashkëpunimin ekonomik; së dyti, rëndësinë e patjetërsueshme të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë në muajin tetor dhe, për më shumë, fuqizimin e politikave të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi; së treti, vlerësimin pozitiv ndërkombëtar për përgatitjet e Shqipërisë për marrjen e Kryesisë së OSBE-së në vitin 2020 dhe nevojën për një koordinim të ngushtë me pjesëmarrësit e kësaj organizate. Shqipëria do të vazhdojë t’i realizojë objektivat madhorë të politikës së jashtme dhe të fuqizojë më tej besueshmërinë ndërkombëtare të saj”, ka shkruar Cakaj.
/Epoka e re/