Cakaj takon përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Mal të Zi
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka pritur sot në takim përfaqësuesit politikë të faktorit shqiptar në Mal të Zi.
Në profilin e tij në “Facebook”, Cakaj ka shkruar se ky takim duhet të shërbejë edhe si pikënisje e bashkimit të plotë të gjithë përfaqësuesve politikë të shqiptarëve në Mal të Zi në shërbim të interesave të tyre vitale.
Postimi i plotë i ministrit Cakaj:
Sot pata nderin e veçantë të pres në takim zyrtar përfaqësuesit politikë të faktorit shqiptar në Mal të Zi!
Vetëm brenda këtij viti kemi marrë vendim për heqjen e lejeve të punës për shqiptarët e Malit të Zi në Shqipëri, financimin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe hapjen e Konsullatës së Përgjithshme në Ulqin. Këto masa janë në funksion të një strategjie më të përgjithshme për forcimin e marrëdhënieve mes shtetit shqiptar dhe faktorit politik shqiptar në Mal të Zi. Këto masa, natyrisht, janë të pamjaftueshme krahasuar me nevojat reale të shqiptarëve atje. Angazhimi ynë do të vazhdojë për forcimin e lidhjeve mes faktorit shqiptar në Mal të Zi dhe Shqipërisë në përgjithësi!
Në këtë mbledhje diskutuam hollësisht për format e bashkëpunimit konkret në interes të forcimit të faktorit shqiptar në përgjithësi.
Në fund, vlen të theksohet se ky takim duhet të shërbejë edhe si pikënisje e bashkimit të plotë të gjithë përfaqësuesve politikë të shqiptarëve në Mal të Zi në shërbim të interesave të tyre vitale.
Ne mbesim krejtësisht të përkushtuar për ta lartësuar pozicionin e shqiptarëve në rajon dhe për të vazhduar angazhimin konstruktiv në përputhje me parimet e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore