Cakolli: Jemi të përkushtuar për avancimin e mbrojtjes nga sulmet kibernetike
Zëvendësministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Bujar Cakolli, ka marrë pjesë në konferencën me temën “Infrastrukturat kritike të informacionit dhe mbrojtja e tyre – CIIP & GDPR”, e cila është organizuar në kuadër të Kolegjit të Biznesit dhe Teknologjisë (UBT).
Cakolli ka thënë se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është përkushtuar të angazhohet në këtë fushë.
“Ne si ministri e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë por edhe si shoqëri jemi koshient për zhvillimet teknologjike sikurse për sfidat me të cilat ballafaqohemi nga evoluimi dinamik i saj. Duhet falënderuar Kolegjin e Biznesit dhe Teknologjisë si një entitet i cili në vazhdimësi angazhohet të jetë në trend me zhvillimet dhe benefitet, që t’i sjellë shoqërisë kosovare aktivitete për mbrojtjen e të dhënave dhe privatësinë e qytetarëve si një domen tejet sensitiv, për çka Qeveria e Kosovës, me theks të veçantë Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë mbetet e përkushtuar që ta pozicionojë në vendin dhe mënyrën e duhur”, ka thënë zëvendësministri Cakolli.
Ai ka shtuar se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë e sheh si partner UBT-në dhe të gjitha institucionet tjera akademike që kanë kompetencë dhe ekspertizë profesionale për mbrojtje nga sulmet kibernetike.
/Epoka e re/