Cakolli: KQZ-ja po cenon fshehtësinë e votës, asnjë votues nuk duhet të ndiejë presion

19 janar 2025 | 16:25

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me planin për vendosjen e kabinave të votuesve në vendvotime, cenon fshehtësinë e votës.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se jo vetëm votuesit që mund të shohin njëri-tjetrin, por edhe komisionerët e vëzhguesit mund të shohin qytetarët gjatë procesit të votimit në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Kjo është mënyra se si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon që t’i organizojë vendvotimet për zgjedhjet e 9 shkurtit. Siç mund ta shihni, kabinat e votimit do të vendosen ballë për ballë. Ky vendim cenon fshehtësinë e votës!”

“Jo vetëm që votuesit mund të jenë të ekspozuar ndaj njëri-tjetrit, por edhe komisionerët dhe vëzhguesit do të kenë pamje të qartë të lëvizjeve të votuesve, në të paktën njërën kabinë. Po flasim për fletëvotime në formatin A3 (të mëdha), ku lëvizja e dorës në fillim apo në fund të fletëvotimit, mund t’i “ekspozojë” lehtësisht preferencat e votuesve”, ka thënë Cakolli.

Cakolli ka shtuar se kjo nuk është hera që parë  që fshehtësia e votës rrezikohet nga vendimet e KQZ-së.

“E njëjta ndodhi edhe me matrikulimin e gishtërinjve të votuesve, një praktikë që u konsiderua si shkelje edhe nga Agjencia për Informim dhe Privatësi. Pavarësisht paralajmërimeve për sanksione, KQZ-ja i injoroi ato. Është e çuditshme pse KQZ-ja po krijon kushte ku votuesit ndihen të ekspozuar pa privatësi të plotë gjatë votimit?”

“Deri në zgjedhjet e vitit 2021, kjo çështje ka qenë e rregulluar në përputhje me standardet ndërkombëtare. Prandaj, KQZ-ja duhet urgjentisht t’i rikthehet garantimit të fshehtësisë së votës, si obligim i saj ligjor. Asnjë votues nuk duhet të ndiejë presion apo pasiguri për privatësinë e votimit. Fshehtësia e votës është e drejtë fundamentale – jo luks!”, ka thënë Cakolli. /Klankosova.tv

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shemsedin Dreshaj, kandidat me numër 19 i AAK-së për deputet…