
Cakolli për votat me postë: Sipas këtij trendi, LDK e merr edhe një mandat deputeti, LVV mund të shkojë në 49 nëse i fiton 60% të tyre
Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim ka publikuar projeksionet e ndarjes së mandateve në Kuvendin e Kosovës kur janë numëruar mbi 30% të votave me postë.
Ai shkroi në Facebook se sipas këtij trendi, LVV-ja është afër t’i sigurojë 49 mandate, ndërsa LDK-ja është afër ta marrë edhe një mandat deputeti. PDK-ja mund ta humbë një ulëse në Kuvend.
“Me mbi 30% të votave me postë të numëruara (shtuar votave nga vendvotimet e rregullta dhe misionet diplomatike) këto janë projeksionet e ndarjes së mandateve në Kuvendin e Kosovës. Ajo çfarë bie në sy është një performancë tejet pozitive e LDK-së, e një e dobët e PDK-së. LVV-ja vazhdon të jetë e para me shumicën e votave me postë, por është dukshëm larg nivelit të përkrahjes sikur në votat në misionet diplomatike”, shkroi Cakolli.
“Megjithatë, procesi i numërimit të votave me postë po vazhdon, dhe trendet e votave të mbetura mund të sjellin disa prej këtyre ndryshimeve: LVV është afër sigurimit të 49 mandateve, por që ta arrijë këtë, duhet të fitojë mbi 60% të të gjitha votave me postë. Me trendin aktual, kjo është e mundur, por jo e garantuar. LVV mund të arrijë edhe në 50 mandate, nëse fiton rreth (+) 70% të votave me postë. Me trendet e deritanishme, kjo është vështirë e arritshme, por e mundur. Me një trend të tillë, LDK është vetëm disa qindra vota larg që ta marrë edhe një mandat nga PDK, dhe nëse vazhdon të performojë mirë në votat me postë, mund të arrijë 21 mandate. Nëse LDK rritet edhe më shumë, kjo mund të ndikojë në gjasat e LVV-së për të siguruar 49 mandate. PDK është në zonë kritike midis 23, 24 dhe 25 mandateve. Aktualisht është në 24 mandate, por afër t’a humbë një. E madje, nëse LVV shkon drejt 50 mandateve, PDK mund të humbasë edhe një mandat tjetër. Për t’i pasur 25 mandate, PDK-ja duhet t’i ketë mbi 13% të votave me postë – që është gati dyfishi i përqindjes që ka tash”, shtoi ai.
Pavarësisht këtyre projeksioneve, ai thekson se “rezultati përfundimtar mbetet i hapur, pasi numërimi i votave me postë ka treguar se preferencat ndryshojnë në varësi të komunave”.
“Në këtë fazë të fundit, çdo ndryshim i vogël në votat e mbetura mund të ndikojë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve”, shkroi Cakolli.