Cakolli: Shtyrja e zgjedhjeve nuk duhet të jetë opsion
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas diskutimeve të shumta që po bëhen për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale të muajit tetor, dhe pas kërkesës së kreut të LDK-së Lumir Abdixhikut për shkurtimin e fushatës zgjedhore nga 1 muaj në 10 ditë.
Cakolli ka thënë se shtyrja e zgjedhjeve nuk duhet të jetë fare opsion që duhet diskutuar, derisa potencon se fushata do të jetë shumë e lehtë që të zhvillohet duke u orientuar në rrejte sociale.
“Në vend të shtyrjes së zgjedhjeve ose shkurtimit të periudhës së fushatës, duhet që të kufizohet lloji i akiviteteve të fushatës, duke mos lejuar numër të madh të qytetarëve në tubime, apo duke i ndaluar tërësisht ato. Sepse ato paraqesin problemin kryesor. Mjafton vetëm të organizohen më shumë debate televizive, e fushata të orientohet nëpër rrjete sociale dhe platforma tjera të komunikimit elektronik”, ka shkruar Cakolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka kujtuar marsin e vitit 2020 kur ishin shtyrë zgjedhjet për Podujevën dhe Mitrovicën e Veriut, por në atë kohë sipas tij s’kishte pasur njohuri për virusin.
“Kur në mars të vitit 2020 ishte marrë vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë e pastaj në Mitrovicë të Veriut, kjo ishte bërë sepse as nuk e njihnim virusin, as nuk dinim si të mbroheshim prej tij, e as nuk kishim protokolle për mbajtjen e zgjedhjeve në kohë pandemie. Në atë kohë madje ishim në e mesin e dhjetëra shteteve që i kishin shtyrë zgjedhjet për shkak të pandemisë”, ka shtuar Cakolli.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar shkurtimin e fushatës zgjedhore. Kërkesës së Abdixhikut i janë përgjigjur pozitivisht edhe krerët e partive opozitare. Kësaj iniciative së fundi i është bashkuar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Megjithatë Konjufca ka shkuar edhe një hap më tutje, duke thënë se nëse do të pyetej personalisht ai, do të kërkonte që të shtyheshin zgjedhjet komunale.