![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/r1.png)
Cakolli: S’priten ndryshime në rezultatet zgjedhore, votat nga diaspora mund të ndikojnë minimalisht
Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka thënë në emisionin “DPT te Fidani” se nuk priten ndryshime të mëdha në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë, pavarësisht se ende mbeten për t’u numëruar votat nga diaspora dhe ato me kusht.
“Unë nuk pres që do të kemi ndonjë ndryshim drastik në rezultate për shkak se ajo çka është e qartë që renditja është konfirmuar dhe të githa partitë kanë treguar një nivel të lartë të maturisë politike duke e pranuar rezultatin zgjedhor në kuptim të renditjes.” – tha ai.
Cakolli parashikon lëvizje të vogla në rezultatet e përgjithshme. Sipas tij, ndryshimet nuk pritet të kalojnë 1% në votat e subjekteve politike.
“Ajo çfarë mund të ndodh është që, nëse hiqen disa vendvotime apo hiqen disa vota që janë shënuar gabimisht, mund të flasim deri në 1 për qind maksimalisht lëvizje të votave të subjekteve politike duke i llogaritur vetëm votat brenda vendit.” – deklaroi Cakolli.
Duke komentuar mbi 80 mijë votat ende të panumëruara nga diaspora dhe rreth 15 mijë votat me kusht, Cakolli theksoi se edhe këto vota nuk do të sjellin ndryshime të mëdha në përbërjen e mandateve.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, e cila pati performancën më mirë në votimin jashtë vendit në zgjedhjet e vitit 2021, mund të përfitojë maksimalisht dy mandate shtesë edhe në rastin e marrjes se 70-75 për qind të votave.
“Kur hyjnë në kalkulim votat jashtë vendit, që janë mbi 80 mijë sosh aktualisht dhe rreth 15 mijë sa pritet që do të jenë vota me kusht, po flasim për 100 mijë vota të cilat janë ende në lojë të cilat, nëse i ndjekim trendet e zgjedhjeve të kaluara, pësëri nuk do të kenë ndikim të madh. Nëse, ta zëm Lëvizja Vetëvendosje si parti politike e cila ka performancë shumë më të mirë brenda votimit jashtë vendit i merr sërish deri në 70 apo 75 për qind të votave jashtë vendit, sërish po flasim për vetëm dy mandate më shumë. Që i bie, nga 47 sa i ka aktualisht me rezultatet preliminare, do të shkojë maksimalisht në 49.” – tha Cakolli.
Megjithatë, ai paralajmëroi se nëse skenari i deklaruar nga kryetari i LDK-së për sigurimin e 40 mijë votave nga diaspora realizohet, Vetëvendosje mund të mos përfitojë fare mandate shtesë, madje mund të humbasë një.
“Në anën tjetër, dy partitë e tjera – PDK dhe LDK – në varësi se si do të performojnë jashtë vendit, për shkak se të paktën publikisht kemi pasur deklarime të kryetarit të LDK-së që presin që t’i kenë deri në 40 mijë vota nga jashtë vendit, po të ndodh kështu, atëherë jo që nuk do të marrë mandate shtesë VV-ja por mund ta humbasë edhe një mandat brenda kompozicionit aktual të votave që kanë partitë politike.” – shtoi Cakolli.
Rezultatet preliminare
Sipas përditësimit më të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përqindja e votave për secilën parti është si më poshtë:
Lëvizja Vetëvendosje: 40.89 %
Partia Demokratike e Kosovës: 22.05 %
Lidhja Demokratike e Kosovës: 17.63 %
AAK-Nisma: 7.46 %
Lista Serbe: 4.47 %
Koalicioni për Familje: 2.26 %