![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/cakolli.jpg)
Cakolli: Zgjedhjet u njollosën nga ‘terri informativ’ për rezultatet, LV-ja e ka të pamundur t’i fitojë 50 mandate
Procesi zgjedhor i 9 shkurtit është njollosur, ka thënë Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV) në një bisedë me “Express”.
Lënia e publikut në “një lloj terri informativ për gati 12 orë” pas mbylljes së vendvotimeve të dielën, ai thotë se e ka cenuar seriozisht besimin e votuesve.
“Unë besoj që, ndonëse nuk jam ithtar i teorive të konspiracionit për manipulime e të tjera, por besoj që integriteti i procesit zgjedhor, e për më keq besimi i publikut në zgjedhje është cenuar seriozisht me situatën e krijuar me mospublikimin e rezultateve preliminare si dhe disa lëshimeve që në dukje janë teknike, por që në esencë, shtimi i 1 000 votave për një subjekt politik është mjaft e madhe. KQZ-ja, besoj që në këtë drejtim, përveç keqmenaxhimit, konsideroj që ka dështuar ta vazhdojë një trend jashtëzakonisht të mirë të organizimit të zgjedhjeve që e kemi pasur përgjatë proceseve të kaluara zgjedhore”, ka thënë ai.
Cakolli ka pyetur se pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka pasur një plan rezervë pas dështimit të sistemit elektronik për publikimin e rezultateve në mënyrë periodike. Këto ishin zgjedhjet e para të rregullta dhe sipas tij është e papranushme që KQZ-ja, megjithëse kishte gjithë kohën e nevojshme për t’u përgatitur për këtë ditë, ka dështuar në momentin kryesor.
Ai nuk ka dëshiruar t’i komentojë deklarimet e kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili të dielën në mbrëmje është shprehur i painformuar për rezultatin e zgjedhjeve në një konferencë për medie ku ka treguar për dështimin e sistemit elektronik.
Por, Eugen Cakolli ka thënë se ka pritur një sqarim “më përmbajtësor”. Përkundrazi, sipas tij, pikëpyetjet sa i përket këtij procesi, vetëm sa u shtuan.
Eugen Cakolli ka thënë se nuk pret që Lëvizja Vetëvendosje t’i sigurojë 50 apo 51 mandate në Kuvend pasi të jenë numëruar edhe votat me postë. Për këtë, ai ka thënë se kësaj partie i duhen “mbi 90% të votave të diasporës”.