Caktimi i çmimit të derivateve nga qeveria, naftëtarët i shkruajnë Kurtit:
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, i është drejtuar me një letër kryeministrit Albin Kurti, pas vendimit për caktimin e tavanit të çmimeve për derivatet, duke thënë se ky vendim i ka sjellë kompanitë e vogla me pakicë buzë falimentimit.
Sipas Berjanit, vendimi i qeverisë i premtuar 12 cent për litër nuk është duke u zbatuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
“Ju njoftojmë edhe njëherë se vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me sektorin e naftës i ka sjellë kompanitë e vogla me pakicë buzë falimentimit. Ky vendim i qeverisë i premtuar 12 cent për litër nuk është duke u zbatuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Pikat me pakicë janë furnizuar dje me çmimin 1.71 cent brenda territorit të Republikës së Kosovës, ndërsa Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e cakton çmimin me 1.75 cent, ku sipas kësaj pikat e vogla të karburantit nuk mund të mbijetojnë më 4 cent”, është thënë në letrën e Berjanit.
Ai i ka apeluar qeverisë që ta revidojë këtë vendim sa më parë në mënyrë që të mos shuhen bizneset e vogla në kohë krize.
“Andaj, i apelojmë Qeverisë së Kosovës që sa më parë ta revidojë vendimin, të bëhet kalkulimi i importit, shitja me pakicë si dhe të caktohet çmimi nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me qëllim që mos me i shuar bizneset e vogla në këtë kohë krize”, është thënë në këtë letër.