
Caktohen ulëset për deputetët e Kuvendit
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka mbajtur të hënën një mbledhje me përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit, lidhur me përgatitjet për seancën konstituive të legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Me vendim të presidentes Vjosa Osmani seanca konstituive do të mbahet të martën, më 15 prill 2025, në orën 10:00.
Kryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesit e subjekteve politike janë dakorduar që konform Rregullores dhe praktikave të mëhershme, subjekti me numrin më të madh të deputetëve, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje (LV), të ulet në ulëset e mesit të sallës plenare.
Në anën e djathtë të sallës, nga perspektiva e kryesuesit të seancës, do të ulet subjekti i dytë me radhë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ndërsa në anën e majtë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Në ulëset e tjera do të ulen deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), deputetët nga radhët e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joserbe.