Caktohen vendi dhe dita e takimit në mes të Blinkenit dhe Lavrovit

01 dhjetor 2021 | 12:04

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pritet të takohet të enjten me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, në Stokholm të Suedisë.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, ka thënë se takimi në mes të dy kryediplomatëve do të zhvillohet në margjinat e samitit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), shkruan “Reuters”.

Ky takim vjen në kohën e tensioneve të larta ndërmjet NATO-s dhe Rusisë për shkak të grumbullimit të trupave ruse afër kufirit të Ukrainës.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit, ka thënë se para takimit me ministrin rus, sekretari Blinken do të ketë një takim tjetër me ministrin ukrainas të Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, gjithashtu në margjinat e samitit të OSBE-së.

Vetëm një ditë më parë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar se Rusia do të paguante çmim të lartë në rast të ndonjë agresioni të ri ushtarak kundër Ukrainës.

Në anën tjetër, presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se dërgimi i trupave dhe armëve të NATO-s në Ukrainë përbën “vijë të kuqe” për Rusinë dhe se një gjë e tillë do të nxiste kundërpërgjigje të fuqishme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ia ka uruar ditëlindjen Rifat…