Çali përkujtohet dhe nderohet për veprimtarinë atdhetare
Simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi dhe dhjetëra bashkëpunëtorë kanë përkujtuar të premten veprimtarin e çështjes kombëtare, Shasivar Makolli-Çali, me rastin e dyvjetorit të vdekjes së tij.
Teksa kanë bërë homazhe te varri i “Çali”-t, duke vendosur nga një trëndafil të kuq, bashkëpunëtorët e tij kanë vlerësuar lart veprën e Shasivar Makollit.
Sipas tyre, veprimtari Makolli një jetë ia kushtoi çështjes kombëtare.
Me këtë rast, veprimtari Bardhyl Mahmuti ka thënë se Shasivar Makolli-Çali tërë jetën ia ka kushtuar çështjes kombëtare. “Sot në dyvjetorin e vdekjes së Shasivar Makollit jemi tubuar që përmes trëndafilit të kuq të bëjmë homazhe pranë varrit të një njeriu, i cili tërë jetën ia kushtoi kauzës tonë kombëtare”, ka thënë Mahmuti, raporton “Epoka e re”.
Ai ka bërë me dije se shtëpia e Shasivar Makollit ka qenë bazë e shumë veprimtarëve të çështjes kombëtare.
“Ka më shumë se 30 vjet që jam takuar për herë të parë me Shasivar Makollin dhe që nga ajo kohë unë kam pasur si shtëpinë time, shtëpinë e Shasivar Makollit. Në momentet më të rënda të jetës sime, shtëpia e Shasivar Makollit ka qenë bazë ku unë jam strehuar. Po ashtu, ajo shtëpi ka qenë bazë e shumë veprimtarëve të tjerë. Ka qenë shtëpi që ka shërbyer për ruajtjen dhe shpërndarjen e materialit, me të cilin më vonë u organizua lufta çlirimtare e Kosovës. Gjatë periudhës vendimtare, ku ndahej shapi nga sheqeri, Shasivar Makolli i qëndroi krah i djathtë simbolit të rezistencës, Adem Demaçit, duke mos iu ndarë asnjë ditë, derisa baca Adem e dërgoi në Zonën Operative të Llapit”, ka thënë Mahmuti, duke shtuar se “Çali” Kosovës i dha shumë e nuk i mori asgjë.
Me këtë rast, homazhe kanë bërë edhe deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, kryetari i KMDLNj-së, Behxhet Shala dhe shumë veprimtarë të tjerë.
/Epoka e re/