“Calit” i lejohet t’i përcjellë seancat me kamerë
I akuzuari nga Dhomat e Specializuara, Salih Mustafa, i njohur si “Cali” do të vazhdojë t’i ndjekë seancat e gjyqit përmes videolidhjes.
Kjo është vendosur nga gjykata, duke u bërë me dije se Mustafa mund të konsultohet me avokatin apo të flasë në këtë formë.
“Kjo nuk dëmton procesin e z. Mustafa që të marrë pjesë në secilën seancë”, ka shtuar gjyqtarja.
Edhe të martën ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj Salih Mustafa, duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve. Në nisje të seancës gjyqësore, Mustafa, ka deklaruar se nuk është dëshira e as qëllimi i tij të mos respektojë panelin e gjykatës, duke shtuar se kohëve të fundit ka qenë i stresuar.
“Kohëve të fundit më është shkaktuar një stres dhe ky stres po vjen si pasojë e disa faktorëve të ndryshëm dhe tani po ua them se cili është problemi”, ka deklaruar Mustafa, derisa më pas seanca ka kaluar në dyer në mbyllura.
Mustafa të hënën nuk ka dashur të jetë prezent gjatë dëshmisë së dëshmitarit të parë, derisa gjyqtarja Mappie Veldt-Foglia ka urdhëruar që ai të jetë prezent të martën.