Cameron mbërrin në Kosovë, pritet në aeroport nga Gërvalla
03 janar 2024
| 21:13
Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, ka mbërritur në Kosovë ku është pritur nga homologia e tij, Donika Gërvalla.
Vizita e Cameron do të jetë njëditore, ku përveç me Gërvallen, ai do të takohet edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
“Kryediplomati David Cameron është pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nga zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, me të cilën do të zhvillojë takim ditën e nesërme duke filluar nga ora 08:30 në zyrat e MPJD-së”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Cameron ka qenë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2010-2016 ndërsa aktualisht ushtron detyrën e ministrit të Jashtëm.