Cameron: Ne jemi mbështetës të fuqishëm të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës
Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, ka thënë se shteti i tij është përkrah Kosovës dhe se është i interesuar që paqja të mbizotërojë në tërë Ballkanin Perëndimor.
Ish-kryeministri i Britanisë pas takimit në Prishtinë me homologen e tij, Donika Gërvalla, ka premtuar ndihmë edhe për njohje të reja.
Cameron në një konferencë të përbashkët për medie me Gërvallen ka theksuar se ndodhet këtu për të shprehur mbështetjen, ndihmën dhe promovimin nga Britania e Madhe për shtetin e Kosovës.
“Ne jemi mbështetës të fuqishëm të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës dhe të së drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët. Mendoj që njëra prej gjërave që e dëgjova, e që është shumë e rëndësishme është rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Kjo është diçka në të cilën po investon Britania e Madhe. Është diçka tepër e rëndësishme për interesin tonë kombëtar”.
“Mendoj që diskutimet që i patëm e rrokin një strukturë më të përgjithshme pasi që siç shohim nëpër lajme sot, jetojmë në një botë me pasiguri të mëdha, me konflikte të mëdha, dhe është një periudhë ku shtetet si ne – Britania duhet t’i përkrahim miqtë tanë, të punojmë dhe të punojmë për së afërmi në aleancat tona. Pra, ajo që po e bëjmë në Kosovë është pjesë e një strukture më të gjerë”, ka thënë Cameron.