Cameroni arrin në Tiranë, Rama publikon pamje nga pritja: Mik i çmuar i shqiptarisë
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, ka arritur në Shqipëri, ku është pritur nga kryeministri Edi Rama.
Rama ka publikuar pamje nga arritja e Cameronit, të cilin e ka quajtur mik të çmuar të Ballkanit Perëndimor, “dhe posaçërisht Shqiptarisë”.
“Kryeministria – Kënaqësi të mirëpres Lord David Cameron, sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonwealth-it dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, një mik i çmuar i Ballkanit Perëndimor dhe posaçërisht shqiptarisë”, ka shkruar Rama në “Facebook”.
Përveç me Ramën, Cameroni do të zhvillojë takime edhe me ministrin e Jashtëm Igli Hasani, dhe presidentin Bajram Begaj.
Rama dhe Cameroni do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.
Për ta pritur zyrtarin e lartë britanik, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është stolisur me flamuj britanikë dhe shqiptarë, ndërsa në ndërtesën e Universitetit Politeknik është vendosur një banderolë ku shkruhet “Mirë se vini zotëri Cameron”.
Në një deklaratë për mediat britanike para mbërritjes në Shqipëri, Cameron kishte thënë se partneriteti i Britanisë me Shqipërinë po jep rezultat sa i përket luftës kundër migracionit të paligjshëm, që shënoi rënie për 90 për qind në vitin 2023.