Can për finalen e Ligës së Kampionëve: Reali të fut frikën, nuk dorëzohet kurrë
“Regjisori” i Borussia Dortmund, Emre Can, konsiderohet si “shtylla” e mesfushës së ekipit të Edin Terziç pas largimit të Jude Bellingham.
Në vigjilje të finales kundër Realit, 30-vjeçari ka hedhur fokusin nga data 1 qershor.
“Loja e tyre në Mynih i përmbledh të gjitha. Bayerni i dominoi në ndeshjen e parë, por në fund gjithçka u mbyll në barazim 2-2. Duket sikur Reali nuk dorëzohet kurrë dhe këtë e kanë kthyer në normalitet. Kjo është arsyeja përse duhet të tregoheni të kujdesshëm kundër madrilenëve”, tha Emre Can.
“Ndeshja kundër PSV-së na shërbeu në shumë aspekte. Aty hodhëm rrënjë të forta se mund të shkonim lart, e cila rezultoi e saktë. Edhe trajneri Terzic na përmendi finalen e Londrës. Duket se ai e paska nuhatur që herët rrugëtimin tonë. Më pas u përballëm me rivalë të kalibrit botëror si Atletico apo PSG-ja. Ne jemi ndeshur me kundërshtarë të nivelit shumë të lartë, duke nisur prej fazës së grupeve. Na ka mbetur edhe një ndeshje nga objektivi madhor. Tashmë koha të flasim në fushë”, përfundoi mesfushori i Dortmundit.